Partia Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, që ta shkarkojnë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, pas raportimeve se është përfshirë në një skandal financiar.
PDK-ja nëpërmjet një komunikate, të hënën, kërkoi që të zbardhet përfshirja e tij në “kartelin e rrymës”.
Pos kësaj, PDK-ja iu ka bërë thirrje deputetëve që ta mbështesin iniciativën për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike. Në komunikatën dërguar mediave të hënën, PDK-ja deklaroi se hetimi duhet të kryhet për të pasur transparencë të plotë.
“Krahas hetimit të plotë parlamentar, Partia Demokratike e Kosovës kërkon që presidentja dhe kryeministri të veprojnë me urgjencë për ta larguar nga detyra ambasadorin Martin Berishaj dhe për të zbardhur deri në detaje përfshirjen e tij në ‘Kartelin e Rrymës’, ndërlidhjet me kompaninë energjetike GEN-I me adresë në Serbi, si dhe për të zbuluar arsyet e fshehjes së deklarimit të pasurisë nga ana e tij”, thuhet në reagim.
Partia opozitare, në komunikatë, tha se kryeministri Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij duhet ta ndalojnë pengimin e formimit të komisionit parlamentar “i cili do të zbardhë para opinionit publik shpenzimin e parasë së qytetarëve të Kosovës dhe lidhjet potenciale të ‘kartelit të rrymës’ me Qeverinë e Kosovës gjatë krizës energjetike”.
Emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë. Emri i tij është lakuar krahas atij të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, që tashmë i fitoi zgjedhjet parlamentare, Robert Golob.
Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te Kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.
Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Për rastin e ambasadorit Berishaj, presidentja Vjosa Osmani deklaroi të premten se i besojnë atij dhe se këto çështje janë për organet e drejtësisë.
“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë. Dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatime siç i dëgjuam”, ka thënë presidentja Osmani.