Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është shkatërruar një laborator për kultivim të substancave narkotike në Komunën e Zveçanit.
Në aksionin e Policisë së Kosovës janë arrestuar tre shtetas të Serbisë dhe një serb i Kosovës.
Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka sekuestruar 2000 fije kanabisi.
“Sapo është shkatërruar laboratori i radhës i kultivimit të substancave narkotike në Komunën e Zveçanit. Deri tash, nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes janë sekuestruar mbi 2.000 fije kanabis, janë arrestuar 3 shtetas serb të Serbisë dhe 1 shtetas serb i Kosovës. Vazhdojmë me intensitet të shtuar dhe pakompromis të luftojmë secilin individ apo grup, pa dallim dhe kudo në Kosovë, që përmes veprimtarive ilegale cenojnë jetën e qytetarëve tanë”, thuhet në postimin e Sveçlës.