11:55 – Katër civilë qëllohen për vdekje derisa po largoheshin nga Luhansku
Katër civilë janë qëlluar për vdekje në rajonin e Luhanskut në Ukrainë, gjatë një sulmi rus, ka thënë guvernatori rajonal, Serhiy Gaidai të hënën përmes një postimi në Telegram.
Sipas Gaidait, personat u qëlluan derisa po përpiqeshin të iknin me veturë nga qyteti i Kreminës në këtë rajon, raportoi Reuters.
Katër avionë rusë “Tu-95s” që bartin edhe bomba bërthamore, janë parë të fluturojnë në Rusinë perëndimore, skaj kufirit me Ukrainën, ka shkruar gazeta britanike “Metro” të hënën.
Ngritja e tyre në qiell vjen në kohën kur luftanija kryesore ruse “Moskva” është fundosur në Detin e Zi dhe kur luftëtarët ukrainas po refuzojnë të dorëzohen në Marioupol, qytetin port që lidh Krimenë e aneksuar nga Rusia dhe Donbasin, rajonin separatist rus.
Pamjet e avionëve rusë “Tu-95s”, janë regjistruar në rajonin Kaluga, nga ku mund të goditen shënjestrat në Ukrainë.
Për më shumë kliko KËTU
10:38 – Të paktën 6 të vdekur nga sulmet në Lviv, 60 km larg Polonisë
Të paktën 6 persona mbetën të vdekur nga sulmet ajrore ruse në Lviv të Ukrainës, derisa 11 të tjerë u lënduan. Siç raportoi CNN-i të hënën, disa objekte janë dëmtuar rëndë, derisa kryebashkiaku, Andriy Sadovyi, tha se është dëmtuar edhe një hotel ku po qëndronin ukrainasit e zhvendosur.
Lviv në vijë kufitare është 60 kilometra larg Polonisë, vend ku janë strehuar mbi 1 milion ukrainas.
Aktualisht, luftime të ashpra po zhvillohen edhe në Luhansk.
“Rusët u futën në Kremina (qytet në Luhansk). Filluan përleshjet nëpër rrugë. Rusët kanë hyrë me sasi të madh mjetesh”, deklaroi Serhii Haidai, kreu i administratës ushtarake rajonale.
Ai shtoi se forcat ruse po bëjnë përpjekje të thyejnë rezistencën ukrainase në zonat përreth Luhanskut.