Policia e Kosovës ka arrestuar dje një person në Obiliq, pasi i njëjti dyshohet se bashkë me një person tjetër kanë vjedhur një sasi të madhe të kabllove të bakrit, nga termocentrali “Kosova A”, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali personi që u prangos dje pasi u ndalua me veturë në rrugën “Avdullah Qerkezi” të Obiliqit është Besarti, 30-vjeçar.
Njësia policore e arrestoi të riun pasi në bagazhin e veturës iu gjetën një sasi e kabllos elektrike prej bakri, prej 200 kilogramë. Pasi u prangos, prokurori mori vendim që i dyshuari të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë.
Përveç tij, lidhur me këtë rast është i dyshuar edhe një person tjetër, R.K., 29-vjeçar, i cili gjendet në arrati.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.