Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.
Operacionit të sotshëm me emrin “Pika 2” i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa kësaj here cak i hetimit janë zyrtarët policor në pikën kufitare në Vërmicë.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.