Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha të Katarit.
Osmani e falënderoi Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve tona dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar.
Veç kësaj, e para e shtetit të Kosovës, e informoi Emirin për progresin e gjithëmbarshëm në Kosovë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës si fusha potenciale për investim nga Shteti i Katarit.
Ajo po ashtu përmendi ndihmën e popullit dhe Shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e Shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e njëzetë të Forumit të Dohas i cili ka mbledhur liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë.