Presdentja Vjosa Osmani ka mbajtur një takim me John Kerryn, ish-Sekretar amerikan i Shtetit në Administratën Obama, tashmë i Dërguar i Posaçëm për çështje klimatike nën Administratën Biden. Takimi është zhvilluar përgjatë kohës sa Osmani po qëndron në Doha të Katarit.
Për një gjë të tillë ka bërë të ditur Presidenca me anë të një komunikate për media, teksa theksohet edhe nevoja për anëtarësimin e Kosovës në NATO, e parashtruar nga Osmani drejt Kerryt.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit. Në takim morri pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schwarz”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Siç potencon më tej njoftimi i Presidencës, e para e vendit ia ka shpjeguar të dërguarit të posaçëm amerikan rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, në mënyrë që të mbrohet nga, siç iu referohet ajo, satelitëve të Rusisë.
“Duke e uruar z. Kerry në rolin e tij të ri si i dërguar i posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, Presidentja Osmani ka vlerësuar se adresimi i efekteve të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike kërkon qasje dhe udhëheqje transformuese”, vijon më tej komunikata.