Deputeti Haxhi Avdyli thotë se Guxo pretendon që të kalojë 10 për qind në zgjedhjet e ardhshme kurdo që ato të mbahen. Pavarësisht se Lista Guxo në hulumtimin e opinionit publik të kryer nga UBO Consulting , doli te 1.1 për qind të votave, Haxhiu thotë se kanë të dhëna të tjera.
Deklaratat Avdyli i bëri në T7.
“Unë besoj që jemi mbi 7 deri në 10 për qind. Në bazë të përcjelljes tonë që i kemi në terren, ne mendojmë që jemi në këto suaza”, tha Avdyli.
“Ne si subjekt jemi në konsolidim e sipër. Ne jemi të kënaqur me përkrahjen që e kemi në terren. E vërteta është se ne akoma nuk e kemi një strukturë të konsoliduar. Njerëzit akoma nuk janë duke besuar që jemi subjekt dhe kjo ka ndikuar pak”, shpjegoi ai.
“Sondazhet para zgjedhjeve të 14 shkurtit për koalicionin Vetëvendosje-Guxo kanë qenë diku te 30 e diçka për qind dhe ne dolëm 50 për qind. Gjithmonë duhet t’i marrim me rezerva. Në kuadër të sondazheve është edhe një numër i njerëzve të pavendosur”, tha ai.
“Ne kemi qenë në një listë parazgjedhore dhe shumë nga votuesit tanë janë edhe votues të VV’së sepse aty janë bërë kombinime të emrave të ndryshëm. Nuk ka një prerje tamam të qartë edhe të votave tona në kuadër të asaj liste të përbashkët që e kemi pasur”, theksoi Avdyli./FrontOnline