Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është larguar nga Kosova grupi i fundit i afganëve.
Këta afganë kanë qenë të akomoduar në kampin “Bechtel” në Ferizaj, të cilët kishin gjetur strehë pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Punëve të Brendshme, kemi pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë. Falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët tanë, jemi drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi. Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë”, ka shkruar Sveçla.
Kosova pranoi të strehojë afganë pasi një gjë e tillë u kërkua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.