Ministri, Armend Mehaj ka prezantuar arritjet njëvjeçare të Ministrisë së Mbrojtjes.
Përballë gazetarëve, ai përmendi Fondin e Sigurisë, rekrutimin e pjesëtarëve të FSK-së, bashkëpunimet me vendet partnere, buxhetin për FSK-në, lirimin nga pagesa të ushtarëve në transportin urban dhe hekurudhor, dhe të tjera.
“Kryesorja nga fusha e ligjeve është, ligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, ligji për deminim humanitar, ligji për ministrinë e Mbrojtjes, ligji për shërbim në Forcën e Sigurisë, dhe në ligjin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Janë rishikuar pesë rregullore ne ministri, sa i përket burimeve njerëzore, kemi realizuar dy konkurse të rekrutimit, për 400 pjesëtarë të rinj, i dyti ka qenë për 840 pjesëtarë të rinj, ky është rekrutimi më i madh që kemi pas ndonjëherë. Kemi rekrutuar 1240 pjesëtarë të rinj në FSK, gjithashtu kemi bërë përzgjedhjen e 34 kadetëve që kanë filluar studime në akademi të ndryshme në vendin tonë, Gjermani, Shqipëri, Turqi, Kroaci e Maqedoni të Veriut. Në bashkëpunim me autoritetet amerikane jemi në proces të përzgjedhjes së kadetëve për tri akademi ushtarake në ShBA”, tha Mehaj.
“Nga burime financiare, arritje e jashtëzakonshme ka qenë edhe buxheti i ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Me 103 milionë euro për vitin 2022, vlerë kjo dyfish më e madhe se e vitit paraprak. Në vitin 2021 kemi marrë buxhet shtesë nga Qeveria, pata kërkuar buxhet për ngritjen e kapaciteteve ushtarake, kam marr mbështetje të plotëmë 21 milionë euro shtesë. Me ato shtesa që kemi marr, në nëntor-dhjetor të vitit të kaluar kanë qenë për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së. Gjatë vitit 2021 kemi pranuar edhe 50 milionë euro donacione, shumicën nga ShBA-ja, por edhe partnerët tjerë. Jemi mirënjohës për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrin e Mbrojtjes”, tha ai.
Mehaj tutje përmendi 15 marrëveshjet e nënshkruara me vendet partnere si, Shqipëria, Anglia, Letonia e Kroacia, dhe tha se një tjetër marrëveshje pritet të nënshkruhet më 14 prill me Maqedoninë e Veriut. Kjo derisa pohoi “koordinimin me vendet partnere, si Turqia, Holanda, ShBA-ja, Gjermania, Sllovenia, Hungaria, Italia, Mali i Zi dhe të tjera. Jemi duke u angazhuar në zgjerimin e partneritetit të ri me Francën, Portugalinë, Israelin, Luksemburgun, Holandën e Norvegjinë”.
“Fokusi ynë kyç është anëtarësimi i plotë në A5 dhe nisma të tjera rajonale sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes”, tha ai.
Ndër të tjera, Mehaj u lavdërua edhe me stërvitjen Defender Europe 2021. Ai tha se FSK do të marr pjesë edhe në dy regjimente në ushtrimin e radhës Defender Europe 2021, ku pritet të marrin pjesë mbi 1 mijë pjesëtarë.
Gjatë prezantimit, ministri tha se Kosova ka marrë mbështetje nga të gjitha vendet për pranimin e afganëve.
“Prej momentit të parë jemi përgjigjur pozitivisht sa i përket afganëve. Kemi marr pjesë prej 29 gushtit të vitit të kaluar dhe jemi të përfshirë ende, përkujdesemi për rreth 1 mijë e 500 afganë. Për këtë kemi marrë lëvdata nga të gjitha shtetet, vlerësimi është shumë i lartë për Kosovën për mbështetjen e këtij operacioni”, shtoi ministri.
Mehaj foli edhe për Fondin e Sigurisë, duke falënderuar të gjithë për mbështetjen, por nuk dha detaje për shumën e mjeteve të mbledhura.
“Fondi i Sigurisë, arritje që përfshin shumë institucione. Ka qenë kërkesë e madhe sidomos nga diaspora dhe shqiptarëve anë e mbnë. Falënderoj të gjithë për mbështetjen. Me Fondin e Sigurisë besojmë se do mund t’i ngritim kapacitet sepse ato kushtojnë”.
Sa i përket lirimit nga pagesa në transportin urban dhe hekurudhor, të pjesëtarëve të FSK-së, Mehaj falënderoi Komunën e Prishtinës dhe ministrinë e Infrastrukturës për bashkëpunim.
“Sa më shumë pjesëtarë të kemi me uniformë që udhëtojnë, aq më i sigurt është vendi dhe ambienti”, vlerësoi ai.
Në fund, Mehaj falënderoi edhe ekipin për të cilin tha se, pa ta nuk do të arriheshin as qëllimet e as këto arritje.
“Vetëm së bashku i arrijmë të gjitha. Baca Adem Demaçi thoshte ‘krejt i kena veç organizimin nuk e kena, kur jemi të organizuar i arrijmë krejt’, prandaj ne kemi gjet organizim dhe i kemi borxh këtij vendi se edhe ka 17 orë punë në ditë me të vërtetë s’po na dalin. Fjalë pak, e punë shumë, s’kemi kohë për të humbur”, tha ai.