Home LAJME Finalja për Kryeprokurorin e ri, njëherë votimi i fshehtë, pastaj fjalën e ka Presidentja

Finalja për Kryeprokurorin e ri, njëherë votimi i fshehtë, pastaj fjalën e ka Presidentja

0
Finalja për Kryeprokurorin e ri, njëherë votimi i fshehtë, pastaj fjalën e ka Presidentja

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hyrë në fazën finale të procesit për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Deri tani, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj është në epërsi për ta pasuar Aleksandër Lumezin në udhëheqjen e instancës më të lartë të ndjekjes në vend. Nga KPK nuk kanë treguar se kur do të mund të zgjidhet kryeprokurori, emri i të cilit do t’i dërgohet Presidentes për emërim. Mandati shtatëvjeçar i Lumezit përfundon në prill. Ligji për KPK-në e parasheh deri diku rrugën e zgjedhjes së Kryeprokurorit.

Pesë kandidatët në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, të premten u intervistuan nga paneli vlerësues, ndërsa me numrin më të madh të pikëve (98) u vlerësua Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së. I dyti u rendit prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë. Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë u rendit pas tij me 84.2 pikë. I katërti doli kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe në fund Lulzim Sylejmani, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë me 74.2 pikë.

Paneli vlerësues përbëhej nga Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarëve të KPK-së, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.

Por renditja aktuale në garën për kryeprokuror mund të ndryshojë në fund, kur anëtarët e Këshillit Prokurorial do të mblidhen dhe përmes votimit të fshehtë do ta zgjedhin njërin nga kandidatët. Para kësaj mbledhjeje, ndonjë prej ankesave mund ta ndryshojë procesin. Kështu parasheh paragrafi 2 i nenit 17 të rregullores lidhur me këtë çështje, të miratuar në vitin 2019. Emri i kandidatit të përzgjedhur më pas dërgohet në Presidencë. Presidentja Vjosa Osmani në fund e bën emërimin, por mund edhe të mos e bëjë.

Tani, procesi i zgjedhjes së Kryeprokurorit është në fazën kur kandidatët, sipas rregullores, kanë pesë ditë kohë për ta kundërshtuar vlerësimin e komisionit vlerësues, të cilin e udhëheq kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

Në rast se Komisioni këtë javë gjen ndonjë ankesë të bazuar nga ndonjëri prej kandidatëve, KPK duhet të kërkojë nga anëtarët e një paneli rivlerësues që ta rishikojnë edhe njëherë procesin. Nëse ankesat refuzohen si të pabazuara, rezultati aktual do t’i dërgohet KPK-së për votim.

Rregullorja përcakton që anëtarët e KPK-së do të votojnë për kandidatët, diferenca mes të cilëve është e barabartë ose deri në 3%.

Nëse asnjeri nga kandidatet nuk merr shumicën e votave të nevojshme të anëtarëve të KPK-së, procesi përmbyllet dhe rishpallet konkursi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here