Presidentja Vjosa Osmani, pas marshit me moton “Ec me këpucët e mia”, në Ditën Botërore të Sindromës Down, tha se është shumë me rëndësi pjesëmarrja e shumë qytetarëve, pasi siç tha ajo, kjo tregon se niveli i vetëdijësimit po ngritet rreth potencialit që e kanë fëmijët, pa dallim.
Osmani u shpreh se është e domosdoshme që të gjitha kushtet për të cilat ata kanë nevojë, t’u ofrohen.
“Është shumë me rëndësi që sot këtij marshi i janë bashkuar shumë qytetarë duke treguar se niveli i vetëdijësimit po ngritet rreth potencialit që e kanë fëmijët tanë, pa dallim. Si institucion, shoqëri dhe si individ, duhet ta kuptojmë se personat me Sindromën Down, sidomos fëmijët, janë një potencial i jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë, që duhet të mbështeten në çdo segment dhe në çdo fazë të jetës së tyre”.
“Është e domosdoshme që të gjitha kushtet për të cilat ata kanë nevojë t’i ofrojmë si institucion. Jemi në hapat e parë por do të bëjmë gjithçka që është në duart tona. Ua kemi borxh që të punojmë bashkërisht, ta kuptojmë si është edhe të ecim në këpucët e tyre në një shoqëri që deri tani nuk është trajtuar barabar. Në radhë të parë duhet të investojmë në kuadro të mirëfillta të cilat mund të ndihmojnë fëmijët qysh nga ditët e para. Të investohet në ta, të përkrahen që nga lindja që edhe ata të bëhen anëtarë potencial të plotë në shoqërinë tonë”, u shpreh presidentja.