Home LAJME Ish-ministri belg tregon se si u menaxhua kriza me refugjatë nga Kosova, bën krahasim

Ish-ministri belg tregon se si u menaxhua kriza me refugjatë nga Kosova, bën krahasim

0
Ish-ministri belg tregon se si u menaxhua kriza me refugjatë nga Kosova, bën krahasim

Ish-sekretari belg për Integrim Social, Jan Peeters, ka bërë një krahasim mes krizës së refugjatëve të vitit 1999 që u shkaktua si pasojë e luftës në Kosovë dhe krizës së refugjatëve të tashme me qytetarë nga Ukraina që po braktisin vendin e tyre pas pushtimit rus të Ukrainës.

Peeters në vitin 1999 ishte përgjegjës për t’i pranuar refugjatët nga Kosova në Belgjikë.

Ai për “Gazet van Antwerpen” ka rrëfyer se si u menaxhua kriza e refugjatëve në vitin 1999. Belgjika atëherë nuk kishte pasur Ministri të Migracionit.

“Po sigurisht shpesh më duhet ta kthej mendjen prapa. Ka ngjashmëri, edhe atëherë kishim të bënim me një grup të madh të njerëzve për të cilët u desh të kujdeseshim në një periudhë shumë të shkurtër, por shkalla nuk është e krahasueshme”, ka thënë Peeters.

Belgjika kishte strehuar afro 1200 kosovarë atëbotë, ndërsa vetëm këtë muaj në rajonin Flaman të Belgjikës janë përgatitur 18 mijë vende për të strehuar refugjatët ukrainas.

“Unë atëherë bëra një thirrje, doja të inkurajoja autoritetet lokale dhe organizatat të raportojnë për vende për strehime kolektive. Kështu që përfundova në shkollën Hogere në Antwerp”, thotë Peeters.

Ai ka treguar se kishte shumë përgjigje pozitive nga individë. Thotë se solidariteti me kosovarët ishte po aq i madh sa është sot me ukrainasit. Qindra persona donin t’i strehonin kosovarët në shtëpitë e tyre.

“Por, pranimi kolektiv ishte nën mbikëqyrje të Kryqit të Kuq kështu që ishte më efikasi për mua”, tha ai.

Një dallim mes krizës aktuale të refugjatëve dhe asaj të vitit 1999, ishte se refugjatët nga Kosova gjendeshin në kampe në kufi me Kosovën.

Nga atje ata u morën me aeroplanë e u dërguan në shtete të ndryshme.

“Unë isha në fluturimin e parë. Aeroplani solli ndihma në kampe dhe më pas u kthye në Belgjikë me refugjatë”, tregon Peeters.

Kosovarët, si ukrainasit tash, menjëherë morën një lejeqëndrim të përkohshëm njëvjeçar. Po ashtu morën ndihmë financiare dhe fëmijët u lejuan të shkonin në shkolla.

Kishte edhe emisione televizive për të mbledhur para. Më 18 maj të vitit 1999, kanalet televizive flamano folëse dhe francezo folëse, mbyllën mbrëmjen e tyre për mbledhje të fondeve me një total të mbledhur prej 30 milionë euro.

Por, është e vështirë të thuhet nëse refugjatët ukrainas do të jenë në gjendje të kthehen në shtetin e tyre aq shpejt siç u kthyen kosovarët. Deri në fund të vitit 1999, numri më i madh i refugjatëve kosovarë u kthyen në Kosovë, ndonëse shteti ishte i shkatërruar.

“Pasi që Millosheviqi ishte mposhtur dhe NATO ishte gardiane e shtetit, ata guxuan të ktheheshin. Po ashtu trupat belge ndihmuan të kthenin refugjatët nga kampet në Shqipëri për në Kosovë. ‘E ardhmja e Kosovës është në duart tona’, ishte titulli i një artikulli të gazetës për kthimin e refugjatëve”, shkruan gazeta belge.

Ndryshimi më i madh është se asnjëri nuk e di se sa mund të zgjasë lufta në Ukrainë.

NATO atëbotë kishte intervenuar për të ndaluar gjenocidin, mirëpo është hezituese të intervenojë ndaj një armiku si Rusia që ka armë nukleare.

“Ishte një intervenim humanitar. Pas dështimit në Somali e Ruanda, ku forcat ndërkombëtare u tërhoqën tepër shpejt dhe i lanë shtetet në kaos, NATO donte të merrte përgjegjësi për mbrojtje të popullatës. Bill Clinton ishte president i SHBA-së atëbotë, dhe Tony Blair ishte kryeministër i Britanisë së Madhe. Ata e panë NATO-n jo vetëm si mbrojtës të territorit, por edhe i vlerave. Aksioni për të ndaluar gjenocidin në Kosovë dukej se kishte qëllime fisnike. Këshilli i Sigurimit të OKB-së kurrë nuk e miratoi sulmin”, ka thënë profesori David Criekemans.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here