Pavarësisht që ditëve të fundit ka pasur një ulje të rasteve të reja me coronavirus, numri i vdekjeve mbetet i lartë dhe në përgjithësi situata epidemiologjike me COVID-19 vazhdon të jetë shqetësuese.E duke marrë parasysh këto statistika si dhe periudhën në të cilën gjendemi në prag të festave të fundvitit, Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar se do të ketë masa të reja gjatë kësaj periudhe.Infektologu Hamdi Ramadani, mendon se masat antiCOVID-19 duhet të ashpërsohen edhe më shumë.
Sipas tij, Kosova nuk e ka luksin që të bëjë lirim të masave.“Situatën epidemiologjike e kemi ende shumë të rëndë, pandemia është në rritje dhe përkeqësim edhe në vendin tonë sikurse edhe në vendet tjera të botës.
Mendoj që masat përkundrazi nuk guxojnë të lehtësohen, përkundrazi ato duhet të jenë edhe më kufizuese më rigoroze sepse vetëm në këtë mënyrë jepet mundësia që të luftohet pandemia COVID-19”, u shpreh Ramadani për Telegrafin.
Ai theksoi se masa e izolimit dhe kufizimit të lëvizjes, distanca sociale e bartja e maskës, mbeten si kryesore në luftimin e kësaj pandemie derisa në vendin tonë nuk ka nisur ende vaksinimi.
“Unë apeloj te qytetarët që të kenë durim edhe disa muaj 3-4 muaj deri sa të filloj edhe vaksinimi në vendin tonë që t’i respektojnë masat. Masat duhet të jenë më të ashpra, nuk jemi në situatë që të bëjmë lirim të masave sidomos për festat e fundvitit”, theksoi Ramadani.Ramadani shtoi se jemi ende në mesin e vrullit, të pikut të valës së madhe të pandemisë COVID-19.“Situata është e rëndë dhe nuk duhet lejuar grumbullimi i njerëzve.
Gjermania, Franca e Italia janë futur në izolim total, as ne në vendin tonë nuk e kemi situatën më mirë”, tha ai.Infektologu Ramadani duke folur edhe për çështjen e vaksinës antiCOVID-19, u shpreh se beson që kjo vaksinë do të nisë tu jepet qytetarëve në Kosovë në fillim të vitit 2021.“Unë shpresoj që në fillim të muajit janar ose shkurt do të filloj vaksinimi edhe në vendin tonë, dhe kjo është një shpresë për mbarë botën që të merr një orientim drejt fundit të kësaj pandemie”, tha Ramadani.