Misioni evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, njoftoi të hënën se do të përforcojë njësinë e tij të specializuar policore me një njësi rezervë.
Në një komunikatë dërguar mediave, EULEX tha se kjo njësi, e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, nga Portugalia, Franca dhe Italia, “do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë gjatë javëve në vijim” për të përforcuar, siç tha, “kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it”.
“Njësia Policore e Specializuar Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.
Njësia e Specializuar e rregullt e EULEX-it përbëhet prej 105 zyrtarësh policorë nga Polonia, që janë të stacionuar në Mitrovicë.
Në Kosovë, reaguese e parë e sigurisë është Policia e Kosovës; EULEX-i është i dyti, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, është i treti.
Javën e kaluar, misioni i Bashkimit Evropian në Bosnje e Hercegovinë, EUFOR, ka dërguar 500 ushtarë shtesë në këtë vend, shkruan REL.
Komandanti i EUFOR-it në Bosnje, Anton Wessely, ka thënë se trupat shtesë janë vendosur si masë paraprake dhe se nuk ka informacione për kërcënime të sigurisë në këtë vend.
Trupat e EUFOR-it kanë mbërritur në Bosnje në kohën e luftës në Ukrainë, e cila, sipas Wessleyt, është një çështje shqetësuese për të gjithë Evropën.
/GazetaSinjali/