Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi gjatë të mërkurës së kaluar ka treguar se ka marr vendim që specializantët e rregullt dhe ata me vetëfinancim të paguhen për kujdestaritë e tyre.
Pavarësisht ditëve të javës kur mbahen, një kujdestari do të paguhet 50.38 euro, ndërsa shuma për dy kujdestari është 101,66 euro.
Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë ka dhënë sqarime për KlanKosova.Tv sa i përket këtyre mjeteve të dedikuara për specializantët, ngase të njëjtit janë ankuar në adresën tonë se këto pagesa nuk janë në përputhje me ligjin.
“Specializantët do të paguhen për dy kujdestari në mënyrë retroaktive duke filluar nga muaji janar 2022, për specializantët e rregullt nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, kurse specializantët me vetëfinancim paguhen prej subvencioneve dhe transfereve.
Pagesa e këtyre të fundit nuk bëhet sipas ligjit të punës, si pagë e rregullt, por si pagese nga programet që subvencionohen”, thanë për Klan Kosovën nga kabineti i ministrit.
Nga kjo ministri thanë se kësaj here mjekët e ri që po e ndjekin shkollimin specialistik do të paguhen edhe gjatë ditëve të vikendit, gjë që nuk ka ndodhë më parë.
“Vendimi për pagesë të kujdestarisë ( nëse kujdestaria mbahet edhe gjatë periudhës premte-diele) është marr sipas kërkesës së Bordit për Shkollim Specialistik dhe është në favor të specializantëve të cilët më parë janë paguar për dy kujdestari vetëm gjatë ditëve të punës, por jo edhe gjatë fundjavës, dhe diçka që nuk është bërë nga ministrat paraprak”, deklaruan më tej nga kabineti i ministrit të Shëndetësisë.