Home LAJME EULEX-i forcohet me gati 100 pjesëtarë të xhandarmërisë shumëkombëshe

EULEX-i forcohet me gati 100 pjesëtarë të xhandarmërisë shumëkombëshe

0
EULEX-i forcohet me gati 100 pjesëtarë të xhandarmërisë shumëkombëshe

EULEX-i ka njoftuar se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë, prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane, nga Portugalia, Franca e Italia do të zbarkojnë përkohësisht në Kosovë. Zbarkimi i ekipit paraprak pritet të mbërrijë të hënën, derisa sipas EULEX-it, qëllimi i ardhjes do të jetë për ruajtjen e mjedisit të sigurisë dhe stabilitetit.

“NjPS-ja Rezervë do të mbështesë EULEX-in për përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë si reagues i dytë i sigurisë i Kosovës nëse është e nevojshme, duke pasur parasysh mjedisin e sigurisë. NjPS-ja e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës, si pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është reaguesi i dytë, dhe KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë”, thuhet në një komunikatë dërguar mediave.

Njësia Policore e EULEX-it aktualisht përbëhet nga 105 zyrtarë policore nga Polonia që janë të stacionuar në Mitrovicë.

“NjPS-ja Rezervë e siguruar nga EUROGENDFOR përbëhet prej 92 xhandarmëve: 42 nga Portugalia, 28 nga Franca dhe 22 nga Italia. Ata do të vendosen në Kompleksin e EULEX-it për Mbështetje në Fushë Kosovë dhe do të jenë nën komandën e EULEX-it”, thuhet tutje.

Në sqarimin e EULEX-it thuhet se Forca Evropiane e Xhandarmërisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e para-organizuar, e fuqishme, dhe shpejtë e zbarkueshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here