Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se nëse Kosova nis të pranohet me procedura të përshpejtuara në organizata ndërkombëtare, Serbia do të befasojë me përgjigjen e saj.
“Në ditën kur ata të pranohen në ndonjë organizatë ndërkombëtare, kjo nënkupton se është shkelur marrëveshja e Washingtonit dhe në atë ditë do të shohin emrat e disa shteteve që tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Vuçiq para gazetarëve në Nish.
Ai ka shtuar se për shkak të luftës në Ukrainë, shumë shtete e shohin situatën botërore si mundësi për ta zgjidhur çështjen e Kosovës dhe se shumë duan që Kosova të pranohet me procedura të shpejta në organizata ndërkombëtare.
Kosova e Serbia në marrëveshjen e 4 shtatorit 2020, para ish-presidentit amerikan Donald Trump, ishin zotuar për moratorium njëvjeçar. Serbia duhej të ndalte fushatën e çnjohjeve, e Kosova pranimin në organizata ndërkombëtare.
Pas krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, autoritetet në vend kanë kërkuar që Kosova të pranohet në NATO e edhe në organizata evropiane.