Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar sot raportin vjetor financiar për vitin 2019 për Postën e Kosovës, ku Zyra Kombëtare e Auditimit për këtë ndërmarrje ka dhënë opinion të kundërt që nënkupton se pasqyrat financiare nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare.Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj, tha se humbjet milionëshe në këtë ndërmarrje janë evidente, derisa është ankuar për gjendjen në të cilën ndodhen objektet e Postës.“Borxhe të grumbulluara për vite dhe me pakënaqësi në të gjithë sektorët. Objektet e postës janë në gjendje të tmerrshme. Modernizimi i postës ka mbetur larg me vite. Humbjet milionëshe janë evidente”, tha ai.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv Xhevdet Smakiqi, tha se kanë marrë masa për të adresuar gjetjet e ZKA-së për 2019.“Bordi dhe menaxhmenti ka ndërmarrë masa menjëherë për zbatimin e rekomandimeve. Disa janë zbatuar disa janë në proces”, tha ai.Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj, nga deputetët është pyetur mbi kriteret për përzgjedhjen e ushtruesit të detyrës së kryeshefit dhe zëvendësit të tij.
“Jemi detyruar të gjejmë një ushtrues detyre. Lidhur me procedurën, kemi shikuar CV e të gjithëve dhe kemi menduar që Smakiqi i ka plotësuar kushtet, e njëjta edhe me zëvendëskryeshefin”, tha ai.Kryetari i këtij komisioni Bedri Hamza, tha se është shqetësuese numri i madh i rekomandimeve për vitin 2019 dhe gjendja në të gjitha ndërmarrjet publike.“Është rast shqetësues gjendja jo e mirë në të gjitha ndërmarrjet publike, përjashtim në disa kompani. Humbjen e vazhdueshme nuk mund ta përballojë dhe pothuajse të gjitha ndërmarrjet kanë ardhur në një situatë ku kërkojnë subvencionim.
Më shqetësoi numri i madh i rekomandimeve të vitit 2019”, tha ai.Hamza ka kërkuar që sa më shpejt qeveria të emërojë bordin e drejtorëve që pastaj të bëhet emërimi i kryeshefit ekzekutiv. Sipas tij, mbajtja e pozitave me borde të përkohshme dhe me ushtrues detyre nuk mund të ndryshojë gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje publike.Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri, tha se gjendja në Postën e Kosovës është më e keqe sesa paraqitet.“Është fat i keq që kjo kompani ka ardhur duke u degraduar e jo duke hyrë në funksion resurset e saj”, tha Gazherri, duke shtuar se nëse nuk ndërmerren masa imediate, Posta dhe Telekomi shumë shpejt mund të falimentojnë.