Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se situata e krijuar me luftën dhe agresionin rus që po zhvillohet në Ukrainë do të ketë ndikim edhe në Kosovë.
Sipas saj, duke qenë se Ukraina është prodhuesi më i madh i grurit dhe drithërave atëherë kriza do ta kaplojë edhe Kosovën, ani pse Qeveria ka marrë vendim për rritjen e fondit për rezerva shtetërore.
“Situata e krijuar me luftën dhe agresionin rus që po zhvillohet në Ukrainë do të ketë ndikim anekënd botës jo vetëm në Kosovë. Ndikimin më të madh do ta kenë shtetet përreth Ukrainës. Duke qenë se Ukraina është prodhuesi më i madh i grurit dhe dritharit atëherë i bije që kriza do të ndikojë anekënd botës. Mirëpo Kosova është e përgatitur dhe Qeveria e Kosovë ka marrë vendim që të rrisë rezervat shtetërore”.
“Po punojnë intezivisht që të marrin masa tjera afatshkurtra dhe po punohet që të dizajnohen politika afatgjata të cilat i ndihmojnë Kosovës që të përballojë kriza të tilla. Ne e dimë që në botë kur shfaqen kriza të tilla janë të paevitueshme. Ajo çfarë na bënë neve që të jemi të sigurt dhe të punojmë në atë drejtim që të sigurohemi që kur të vijnë kriza të tilla ne jemi të gatshëm t’i përballojmë sa më lehtë që mundemi dhe këtë po e bëjmë. Kjo krizë na ka gjetur në krizë dhe ne po punojmë që ta përballojmë sa më lehtë dhe në të ardhmen të fuqizohemi si shtet dhe të mos kemi ndikime të tilla”.
Sipas saj, BE-ja duhet t’i hapë dyert për anëtarësim sa më parë që të jetë e mundur që t’i mbajë këto shtete afër dhe ta ruajë stabilitetin dhe paqen në Evropë.
“BE-ja duhet t’i hapë dyert sa më parë që të jetë e mundur që t’i mbajë këto shtete afër dhe ta ruajë stabilitetin dhe paqen në Evropë”, tha Pacolli./FrontOnline