Kuvendi i Kosovës të enjten miratoi Rezolutën që dënon agresionin rus në Ukrainë, Për këtë, presidentja Vjosa Osmani i ka falënderuar deputetët, duke deklaruar se përballë hegjemonive që cenojnë liritë njerëzore, Kosova qëndron e bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë.
Ajo shkroi në Facebook se Kosova është me Ukrainën “sepse Kosova qëndron në anën e lirisë”.
“Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë. Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe mëtej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina”, shkroi Osmani.
Për sulmin rus foli edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se 23 vjet nga lufta e fundit në Evropë që ndodhi pikërisht në Kosovë, pamjet nga Ukraina i ngjajnë një tragjedie evropiane në zhvillim.