Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje rreth aksionit “Brezovica 3”, ku ka bërë të ditur se janë kontrolluar dhe bastisur 12 lokacione të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.
Nga prokuroria kanë bërë të ditur se janë arrestuar 7 persona të dyshuar, ku 3 prej tyre janë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa 4 janë pronar të kompanive ndërtimore. Gjatë ditës është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, duke quar në 8 numrin total të arrestuarve, transmeton lajmi.net.
“Tetë (8) personat e arrestuar me inicialet A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës , “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-ës, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-ës.”, thuhet në njoftim.
Nga kontrolli dhe bastisjet e përfunduara, prokuroria ka bërë të ditur se janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, armë, kompjuter, telefona e vetura.
Njoftimi i plotë nga prokuroria:
Ferizaj, 03 Mars 2022 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica 3” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur dymbëdhjetë (12) lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan, ku fillimisht janë arrestuar shtatë (7) persona të dyshuar, tre (3) prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër (4) pronar të kompanive ndërtimore, ndërsa, gjatë ditës është arrestuar edhe një (1) person tjetër i dyshuar.
Tetë (8) personat e arrestuar me inicialet A.I., I.M., F.H., R.A., M.Sh., A.X., Z.G., dhe H.A, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës , “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-ës, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 të KPRK-ës.
Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar:
– Dokumente të ndryshme,
– Disa fletore me shënime,
– Tri (3)armë,
– Një (1) karikator me 5 fishek të kalibrit 7.65mm,
– Tre (3) fishek të kalibrit 6.35mm,
– Njëzet (20) fishek të kalibrit 7.62mm,
– Një (1) kompjuter,
– Një (1) veturë X6,
– Pesë (5) telefona,
– Një (1) orë dore.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj.