Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot janë vënë në mbështetje të shtetit të Ukrainës, pas situatës së krijuar nga agresioni rus, me përjashtim të deputetëve nga Lista serbe që nuk kanë qëndruar në sallë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës deputetët janë parë me pankarta “Ne qëndrojmë me Ukrainën”, ndërkaq pritet të miratohet edhe një Rezolutë.
Një ditë më parë grupet parlamentare ranë dakord që në seancën e Kuvendit të Kosovës, pikë e rendit të ditës të jetë edhe “Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus”.
Ndryshe, në ditën e tetë, ukrainasit po vazhdojnë të përballen me agresionin rus. Dhe që nga dita e parë atje ka pasur zhvillime të shumta, që nga dëmet e mëdha materiale, po ashtu edhe humbje të jetëve të njerëzve.
Por kjo nuk ka ulur moralin e tyre, përkundrazi. E përveç moralit ata kanë parë një mbështetje të jashtëzakonshme nga e gjithë bota.
E gjitha erdhi pas kërcënimeve disamujore se do të fillojë pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi operacionet ushtarake në këtë shtet evropian. /Telegrafi/