Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni “Brezovica 3 ” ku janë duke u bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete të ndryshme, përkatësisht: Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.
Prokuroria njofton se, deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.
Tutje, në njoftim thuhet se, Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’iu mbajë të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera rreth këtij aksioni.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2021, lidhur me rastin “Brezovica” u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kreun e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Ai dyshohet se ka fituar në mënyrë të kundërligjshme një milion euro.
Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.