Një ditë pas themelimit të Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës, disa qytetarët kanë filluar dhurimin e mjeteve që, sipas tyre, do të ndikojë në forcimin e Ushtrisë së Kosovës.
Xhirollogaria bankare ku mund të dhurojnë para mërgimtarët, si dhe ata që jetojnë në Kosovë u publikua paraditen e 2 marsit nga Ministria e Financave dhe Transfereve.
Behram Kuleta nga Prishtina është prej personave të parë në Kosovë që dhuroi mjete në këtë fond.
Pak minuta pas publikimit të llogarisë bankare, Kuleta, në emër të biznesit të tij, ka transferuar në këtë llogari një shumë parash prej 500 eurosh dhe shpreh besimin se këto para do të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Unë mendoj që do të dhuroj sërish mjete, sepse është me rëndësi që ta bëjmë ushtrinë tonë më të fortën në rajon”, thotë Kuleta.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo ndihmë financiare është një “akt patriotik që ndihmon në forcimin e Ushtrisë së Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky fond është themeluar bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, “situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë”.
Paratë e mbledhura në këtë fond, sipas Qeverisë së Kosovës, do të shkojnë si buxhet shtesë për Ministrinë e Mbrojtjes.
“Në aspektin teknik, pra atë të pranimit, grumbullimit dhe procedurave tjera, Fondi menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Ndërkaq mjetet e grumbulluara, pastaj i alokohen Ministrisë së Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë sipas kërkesave të kësaj ministrie”, tha Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga Qeveria e Kosovës se për çka konkretisht do të destinohen mjetet e grumbulluara.
“S’kemi para aq sa kemi vullnet për të ndihmuar”
Por, qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë në Prishtinë, Fondin e Sigurisë e kanë kuptuar si mënyrë për të kontribuuar në blerjen e pajisjeve dhe armatimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Për këtë arsye, thonë se po të kishin mirëqenie më të mirë, do të dhuronin më shumë para.
“Po të kisha para do t’i dhuroja aq sa do të kisha. Por, tani, sipas mundësive që i kam aq do të dhuroj”, thotë Fadil Bekteshi.
Gazmend Podrimaj thotë se i ka mundësitë shumë të limituara për të dhuruar para për Fondin e Sigurisë, porse ai thotë se çdo cent i dhuruar është akt patriotik.
“Për ta mbrojtur veten, sepse nuk na mbron askush neve nëse nuk e mbrojmë veten”, thotë Podrimaj.
Pas publikimit të vendimit për themelimin e Fondit të Sigurisë, shumë biznesmenë dhe fytyra publike kanë deklaruar se do të dhurojnë para. Në mesin e tyre janë edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës që kanë deklaruar publikisht në disa raste edhe dhurimin e një page që marrin në Kuvend.
Granit Kastrati, një qytetar nga Malisheva, thotë se i ka shkuar mendja që të dhurojë të gjitha kursimet që i ka në llogari të fëmijëve të tij.
“Më ka shkuar mendja që të gjithë ne që kemi kursime të fëmijëve është mirë që t’i dhurojmë në të fond, sepse kjo është siguria e fëmijëve tanë”, tha Kastrati.
Nevoja për armatim, riorganizim, ushtrime dhe logjistikë
Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, Ramadan Qehaja, e përkrahë idenë e themelimit të Fondit të Sigurisë.
Ai thotë se mjetet që qytetarët do të dhurojnë duhet shpenzuar në fushat kryesore që kontribuojnë në sigurinë e vendit.
“Ky fond duhet të përdoret për blerjen e armatimit, për riorganizimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, në mënyrë të përshpejtuar për ushtrime në aspektin e vetëmbrojtjes edhe me pjesën rezervë si dhe për logjistikë”, shprehet Qehaja.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Qehaja thotë se këto mjete mund të jenë një shtysë e mirë për institucionet që të analizojnë kapacitetet me kujdes dhe të bëhen investimet e nevojshme në mënyrë që Kosova të jetë e gatshme në përballimin e krizave eventuale.
Demhasaj: Fondi të rregullohet me ligj, ndryshe mungon transparenca
Drejtori i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, Arton Demhasaj, ngre shqetësim për mënyrën si është themeluar fondi nga ana e Qeverisë.
Ai thotë se për të pasur transparencë fondi duhet të krijohet me ligj që votohet në Kuvend.
“Mënyra se si është themeluar fondi, ne nuk mund të dimë nga po vijnë ato fonde dhe ku është destinacioni i tyre. Kjo çështje duhet shpejt të rregullohet me ligj që i parasheh mënyrat se si jepen paratë dhe mënyra se si përdoren ato para”, thotë Demhasaj.
Në vendimin e themelimit të Fondit të Sigurisë mes tjerash thuhet se institucionet do të kujdesen për rregullimin e çështjes së prejardhjes së donacioneve, si dhe kufizimeve të tjera.
Kosova për këtë vit ka ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) 100 milionë euro. Më herët, kjo shumë ishte rreth 60 milionë. Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte thënë se shuma e ndarë për ushtrinë përbën 1,3 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Si tërësi, buxheti i vitit 2022, sipas Qeverisë së Kosovës, arrin vlerën rreth 2 miliardë e 800 milionë euro.
Qeveria ka thënë se qëllimi është që për vitet e ardhshme buxheti për ushtrinë të arrijë në 2 për qind të Bruto Produktit Vendor.
FSK-ja është në proces të transformimit në Ushtri të Kosovës.
Më 14 tetor, 2018, Kuvendi i Kosovës votoi tri ligje, përmes së cilave u mundësua ky transformim.
Me këtë veprim FSK-së iu dhanë kapacitete ushtarake përmes një procesi të gjatë të transformimit.
Kapacitetet e FSK-së kryesisht u rritën përmes donacioneve të mjeteve ushtarake nga SHBA-ja dhe shtete tjera, mirëpo së fundi Kosova ka kontraktuar edhe blerjen e disa dronëve amerikanë si dhe automjeteve të tjera ushtarake.