Një prej armëve më të forta në luftën Ukrainë – Rusi po del të jetë propaganda.
Kësisoj, Forcat e Armatosura të Ukrainës në një postim në Facebook, kanë treguar për një video-montazh të televizioneve ruse, ku shihet teksa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, shpall kapitullimin e vendit të tij.
Natyrisht kjo nuk është e vërtetë. Ukraina po vazhdon të rezistojë.
“Imagjinoni çfarë shihni në TV, Zelensky bën një deklaratë dhe shpall kapitullimin. E sheh, e dëgjon – pra është e vërtetë. Por kjo nuk është e vërteta! Kjo është një teknologji e thellë e gënjeshtrës. Kjo nuk është video e vërtetë, por e krijuar nga algoritmet. Videot e bëra përmes teknologjive të tilla janë pothuajse të pamundura të dallohen nga ato të vërteta. Jini të vetëdijshëm që kjo është gënjeshtër! Qëllimi është të çorientojë, të mbjellë panik, të çorodisë qytetarët dhe të përkulë trupat tanë për t’u dorëzuar. Jini të sigurt – Ukraina nuk do të kapitullojë! Rusisë i mbetet vetëm të shpikë një fitore të rreme, të mbyllë internetin dhe të gjitha kontaktet me botën”, ka shkruar në Facebook, ushtria ukrainase.