Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO, ka bërë të ditur se 93 për qind e konsumatorëve për muajin shkurt kanë pagur vetëm me tarifat e vjetra.
Sipas KESCO-s, shumica absolute e qytetarëve nuk janë prekur fare me tarifat e reja, pasi me miratimin e ZRRE-së, në faturat e muajit shkurt, përkatësisht më 9 shkurt njehsimi ka filluar nga 0kWh.
“Por, tashmë ka filluar periudha kur janë në fuqi tarifat e reja, me çmime të reja. Dihet që tashmë, për të gjithë konsumatorët e amvisërisë bllok-tarifa fillon nga shpenzimi mbi 800kWh”.
“Lidhur me aplikimin e tarifave të reja dhe për t’i ndihmuar konsumatorët që të mos e kalojnë pragun e bllok-tarifës, KESCO do të zhvillojë edhe një fushatë ndërgjegjësimi që nis këtë muaj”, thuhet në njoftimin e KESCO.
Më tej, në njoftimin e KESCO u tha se pas rritjes së cmimeve të energjisë elektrike në berzat ndërkombëtare, nuk mundi të shpëtojë as Kosova.
“Nga këto nuk mundi të shpëtojë as Kosova, pasi është vend importues, ku një sasi e konsiderueshme e energjisë elektrike duhet të sigurohet nga importi gjatë periudhës së dimrit, kur edhe kërkesa në Evropë është më e larta dhe rrjedhimisht edhe çmimi”, thuhet në njoftim.