Kryeministri britanik Boris Johnson tha sot se veprimet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë kualifikohen si krim lufte.
“Ajo që ne kemi parë tashmë nga regjimi i Vladimir Putin në përdorimin e municioneve që ata tashmë kanë hedhur mbi civilët e pafajshëm… sipas mendimit tim, tashmë kualifikohet plotësisht si një krim lufte”, tha ai në parlament, shkruan CNN.
Johnson tha gjithashtu se Putini kishte “llogaritur keq” përgjigjen ukrainase.
“Në sulmin e tij të neveritshëm ndaj një kombi sovran, ai ka nënvlerësuar forcën e jashtëzakonshme të popullit ukrainas dhe unitetin dhe vendosmërinë e botës së lirë për t’iu kundërvënë barbarisë së tij”, tha ai.
Johnson shtoi se Mbretëria e Bashkuar “do të vazhdojë të shtrëngojë lakun rreth regjimit të Putinit”.