Komuna e Rahovecit ka konfirmuar dizajnin fitues për sheshin qendror të saj.
Ideja e tre arkitektëve: Thomas Boerendonk nga Holanda, Daniel Arce Chu nga Uruguai dhe Nguyen Duy Minh nga Vietnami, është zgjedhur si më e mira në mesin e 80 aplikuesve nga 37 shtete të botës.
Këtë e ka konfirmuar drejtori për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Rahovec, Rumir Zhuniqi, i cili në një postim në Facebook ka ndarë edhe imazhet e dizajnit.
“Të dashur qytetarë të Rahovecit. Me sot mori fund një hap i rëndësishëm në procesin për dizajnimin e sheshit qendror të qytetit. Juria profesionale ndërkombëtare e lokale, me pesë anëtarë: Alexis Sanal, Vanessa Carloë, Frederic Saliez, Përparim Rama dhe Dashnor Kadiri unanimisht ka zgjedhur punimin fitues prej 80 aplikacioneve të dorëzuara nga 37 shtete”, ka shkruar Zhuniqi.
Ai ka shtuar se identifikimi kryesor i punimit fitues është rrethi në qendër të sheshit.
“Qendra e sheshit në formë rrethore, mund të akomodojë ngjarje të mëdha dhe ofron hapësirë̈ të mjaftueshme për funksione ditore. Punimi ka paraparë që sheshi të ketë infrastrukturën adekuate për mbrojtje nga shiu e dielli. Pra, kemi një punim fitues i cili parasheh që Rahoveci ta ketë një shesh tejet funksional për nevojat e përditshme të qytetarëve të Rahovecit, si dhe një shesh ku mund të organizohen festivale e koncerte. E veçantë e këtij koncepti është edhe parashikimi i tre parkingjeve, një parkingu nëntokësor dhe dy tjerë mbitokësor, që i jep një zgjidhje afatgjatë qytetit tonë mbi problemin e vendparkimit për vetura”, ka shkruar Zhuniqi.
Zhuniqi shton se strategjia urbane parasheh të sjellë alternativa edhe për transportin motorik, duke ofruar lidhje adekuate të qytetit me qendrën e re.
Ai thotë se janë propozuar tri intervenime:
– Një shteg për këmbësorë që lidhë ndërtesat kryesore dhe hapësirat publike.
– Një shëtitore e gjelbër, që ka edhe një shteg për çiklistë, e që lidh veriun dhe jugun e qytetit me qendrën e tij.
– Si dhe ndërtimi i Sheshit Qendror, i pozicionuar aty ku piqen shtegu i këmbësorëve dhe shëtitorja e gjelbër.
“Punimi parasheh zhvendosjen e Stadiumit të Qytetit dhe mbylljen për qarkullim të rrugës “Bajram Veliu”, që ndodhet anash stadiumit. Parashihet që një rrugë e re të ndërtohet te parkingu ekzistues për të mundësuar trafikun motorik mes rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Xhelal Hajda – Toni”. Arkitektët fitues kanë paraparë gjithashtu që Sheshi Qendror i Qytetit të jetë një hapësirë e këmbësoreve dhe çiklistëve i ndërlidhur me parkun, ndërsa veturat me numër të limituar të kenë qasje vetëm në raste emergjente, për mirëmbajtje e logjistikë ose gjatë organizimit të ndonjë ngjarjeje të veçantë”, ka shkruar Zhuniqi. “Parashihet edhe ndërtimi i Qendrës së Komunitetit në lokacionin e tregut, që do ta ndajë sheshin e vogël “Hardhia” me Sheshin Qendror të Qytetit”.
Ai shton se parashihen edhe hapësira të gjelbra të reja dhe mbrojtja deri në maksimum e atyre hapësirave të gjelbra që tanimë ekzistojnë. Po ashtu, edhe menaxhimi i ujërave është paraparë në këtë punim.
“Përgjithësisht, punimi fitues ka dhënë propozimet konkrete gjatë projektimit, por ne, deri të ndërtimi do të bëjmë hapa të kujdesshëm dhe do ta plotësojmë me të gjitha elementet e nevojshme urbanistike gjatë hartimit të projektit kryesor (zbatues)”, ka thënë Zhuniqi.