Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po u bën thirrje vendeve më të pasura që të përshpejtojnë dhe t’i japin fund pandemisë COVID-19, duke ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme me teste, trajtime mjekësore dhe vaksina.
Apeli, i nisur të mërkurën, kërkon që 55 nga vendet më të pasura të botës të japin 23 miliardë dollarë financim.
Paratë do të shkojnë në programin e Përshpejtuesit të Mjeteve për COVID-19 (ACT), një iniciativë globale e krijuar për të zhvilluar dhe shpërndarë në mënyrë të barabartë testet, trajtimet dhe vaksinat.
“Mbështetja e përhapjes së mjeteve për të luftuar COVID-19 globalisht do të ndihmojë në frenimin e transmetimit të virusit, lehtësimin e punonjësve dhe sistemeve të mbingarkuara shëndetësore dhe shpëtimin e jetëve”, tha OBSH në një deklaratë.
“Me çdo muaj vonesë, ekonomia globale do të humbasë pothuajse katërfishin e investimit që i nevojitet ACT-Accelerator”.