Prokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Dorjan Juniku në një konferencë për media ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini” lidhur me helmimin e qytetarëve të Deçanit, që ndodhi në verën e vitit të kaluar.
“Ju njoftoj se pas një hetimi intensiv disa mujor në çështjen penale që ka të bëjë me helmimet e mbi 1,500 qytetarëve të Deçanit dhe fshatrave përreth, sot më datën 7 shkurt 2022, kam ngritur aktakuzën kundër dy zyrtarëve si persona përgjegjës të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, kundër drejtorit të departamentit teknik për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe kundër kimistes së kësaj kompanie për veprën penale “Mos evitim të rrezikut të përgjithshëm””, ka thënë Juniku.
Ai ka shtuar se muaji korrik i vitit 2021 nuk ishte aspak i lehtë për qytetarët e Komunës së Deçanit dhe 10 fshatrave përreth e as për ta si Prokurori, sepse asokohe hiq më pak se mbi 1500 qytetarë në QKMF në Deçan kishin kërkuar ndihmën mjekësore e në mesin e tyre edhe 51 fëmijë, transmeton Telegrafi.
“Me ti pranuar këto informata kryeprokurori Agim Kurmehaj, autorizon menjëherë dy prokurorë të shtetit që të fillojmë me veprime në zbardhjen e këtij rasti. Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe IKSHPK-në, kemi arritur të bëjmë grumbullimin e informacioneve”, u shpreh prokurori.
Prokurori Juniku ka shtuar se nga mbi 1,500 qytetarët që kishin kërkuar ndihmë në QKMF-në në Deçan 872 kanë pasur simptoma të njëjta.
“872 kanë pasur simptoma që i referohen helmimeve nga uji i pijes, sipas analizave nga IKSHPK është kontestuar se të njëjtit e kanë pasur bakterien E.Coli dhe baktreien Norovirus, të shkaktuara nga mungesa e klorit dhe testimeve shumë të pakta dhe aspak të rregullta”, u shpreh ai. /Telegrafi/