Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të indinjohen me deputetët të cilët u kompensuan për shpenzimet e udhëtimeve për të marrë pjesë në seancat e Kuvendit apo komisioneve parlamentare.
Mirëpo, Kurti u shpreh se është e padrejtë të piketohet ndonjë deputet/e veçanërisht për një vendim të vitit 2011, derisa bëri thirrje Kuvendit ta ndryshojë këtë rregullore.
“Shefja e Grupit Parlamentare të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, tashmë ka dhënë njoftim për këtë çështje, që deputetët tanë të tërhiqen vullnetarisht nga një kompensim i tillë dhe ka kërkuar nga Kuvendi të rishikohet kjo rregullore. Këto pagesa duhet të rregullohen, Kuvendi duhet të ndryshojë rregulloren për kompensimin për deputetët e Kuvendit. E kuptoj indjimin e qytetarëve, por në të një kohën është e padrejtë piketimi i ndonjë deputeti/e të veçantë, për një vendim të vitit 2011. Është detyrë e secilit, si të zgjedhurit e popullit ashtu edhe shërbyesve civil, ta ruajnë kuletën e shtetit. Si Qeveri e kemi bërë këtë, si ulja e pagave për kabinetin qeveritar. Ne kemi ulur shpenzimet, pikërisht atëherë kur janë rritur të ardhurat, si në Doganë, ATK e në investime të huaja. Prandaj besoj që deputetët e zgjedhur duhet të jenë shembull për të gjithë dhe qytetarët me të drejtë presin edhe më shumë edhe më mirë prej tyre”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.