Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka shpallur konkursin për drejtorin e përgjithshëm të këtij institucioni.
Ky konkurs publik do të hapet të hënën, më 07 shkurt.
Se ky konkurs do të shpallej për këtë pozitë ishte njoftuar edhe para dy ditësh nga Bordi i RTK-së.
Nëpërmjet një komunikate, Bordi shkroi se procesi i konkursit do të jetë i bazuar në meritokraci, i hapur për monitorim dhe publik për të gjithë kandidatët e interesuar.
“Rrjedhimisht, inkurajojmë të gjithë të interesuarit që këto ditë të përcjellin hapjen e konkursit në kanalet e RTK-së dhe të aplikojnë për pozitën në fjalë. Po ashtu, Bordi i RTK-së ka pritur në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), më të cilët është diskutuar lidhur me sfidat, shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Bordi i RTK-së siguroi SPRTK-në se do t’i adresojë shqetësimet e tyre në përputhje me rregullativën e RTK-së dhe ofroi bashkëpunim të plotë në funksion të zhvillimit të RTK-së”, thuhet në komunikatë.
Dy javë më parë është shkarkuar drejtori Ngadhnjim Kastrati.
“Vendimi për shkarkim bazohet në shkeljet e shumta të Ligjit për RTK-në dhe akteve tjera nënligjore të bëra në RTK gjatë mandatit të z. Kastrati. Bordi i RTK-së konstatoi neglizhencë të Drejtorit të Përgjithshëm ndaj parregullsive, keqpërdorimeve, mospunës, nepotizmit, degradimit, raportimit të vazhdueshëm të anshëm e jo objektiv të transmetuesit publik të Kosovës. Bazuar në të gjitha këto shkelje, për Bordin e RTK-së ka qenë e pamundur vazhdimi i konsolidimit të reputacionit të RTK-së dhe funksionimit të tij me z.Kastrati si Drejtor i Përgjithshëm”, thuhet në njoftim. /Reporteri.net/