Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që deri në 800 kWh të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Përmes një konference për media, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se grupi i dytë i konsumatorëve që shpenzojnë nga 800 deri në 1 mijë e 400 kWh të kenë një rritje që do të përcaktohet edhe në bazë të subvencionimit të qeverisë.
Kusari-Lila, përmendi bllokun e tretë që janë konsumatorët me mbi 1 mijë e 400 kWh të shpenzuara të cilët do të kenë tarifa më të larta, pa përmendur shifër.
Por, sipas Kusari-Lilës dy grupet e para përbëjnë 86 për qind të konsumatorëve të energjisë elektrike.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje ajo dha katër rekomandime:
1. Të përfshinë ndikimin pozitiv që shkaktohet nga rikthimi i bllok-tarifave progresive në reduktimin e kërkesës për energji elektrike për vitin 2022.
2. Duke marrë parasysh situatën e rënduar ekonomike të qytetarëve dhe krizën energjetike në tregjet ndërkombëtare të konsiderojë reduktimet e investimeve kapitale përgjatë vitit 2022 në rrjetin e distribucionit sipas modelit që tashmë e zbaton Republika e Shqipërisë.
3. Duke pasur parasysh që zvogëlimi i humbjeve ka ndikim direkt në zbritjen të çmimit të energjisë elektrike kërkojmë nga ZRRE-ja që ta prezantojë një plan konkret që të parandalojë këtë dukuri negative dhe ndikimin pozitiv që do të arrihet në rastin e zvogëlimit të humbjeve komerciale përfshirë këtu edhe kuadër shqyrtimit të jashtëzakonshëm tarifor.
4. Duke marrë parasysh faktin që agjencitë e specializuara kanë parashikuar zbritje të çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar që nga pranvera e këtij viti kërkojmë nga ZRRE-ja që të konsiderojë një skenar pozitiv të çmimit të energjisë që do të blihen nga importi gjatë llogaritjes të të hyrave të jashtëzakonshme”.
ZRRE ka propozuar ndryshim tarifash për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh.
Ky propozim është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, jashtë kuvendit Partia Socialdemokrate, të shtunën organizoi protestë për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.