Shkruan: Bashmir Xhemaj
Prizreni sot humbi një pjesë të ndritshme të historisë së tij. Humbi luftëtarin e përjetshëm të të drejtave të shqiptarëve, veteranin e arsimit, të burgosurin politik të Goli Otokut e mbi të gjitha – qytetarin e dashur e njeriun e mirë, Masar Shporta.
Nuk ka njeri e familje në Prizren që ska dëgjuar e takuar axhën Masar. Si nxënësi i gjeneratës së parë të shkollës shqipe të Koliqit (1941) në Prizren dhe matematicienti i parë i diplomuar me 1954, ai u persekutua, u arrestua dhe u denua me 6 vite nga famëkeqi Rankoviq ku 5 vite i vuajti në burgun e Goli Otokut. Ditën që e liruan kujton axha Masar, shefi i ndërrimit i kishte thënê “ikë tash në Turqi se atje e ke vëllaun”. “Do ti vazhdoj punët ku i kam lënë në gjysmë”, ishte përgjigjja. E këto punë nuk u ndalën për dekada.
Dhuna e barbaria e ushtruar sikur i dhanë edhe më shumë forcë e dashni për popullin e vet. Ai vazhdoi të luftoj për të drejtat kombëtare dhe arsimore deri në ditët e fundit të jetës ku mbylli sytë përjetësisht në moshën 94 vjeçare.
Për meritat e tij jetësore, intelektuale e kombëtare ai u dekurua nga Presidenti Thaçi në vitin 2018.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!