Qeveria e Kosovës ka vendosur masat të reja për të frenuar përhapjen e COVID-19.
Në pikën dy të këtyre masave thuhet se çdo person i cili hyn në territorin e Kosovës duhet të posedojnë certifikatën e tri dozave të vaksinave kundër coronavirusit ndërsa për të gjithë ata të cilët kanë vetëm dy doza të vaksinës duhet të posedojnë edhe testin RT-PCR të bërë 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare.
Një vendim i tillë nuk është mirëpritur nga qytetarët të cilët për arsye të ndryshme u duhet të udhëtojnë në vendet e rajonit përmes pikave kufitare, e as nga ata që vijnë në Kosovë qoftë për shkaqe familjare, biznesore, studimore etj.
KALLXO.com merr vesh se një vendim i tillë pritet të rishikohet nesër nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.
Sipas këtyre masave vendimi për kërkim të certifikatës për vaksinën e tretë nuk vlen për personat të cilët hynë në Kosovë tranzit, për shoferët, shtetasit e Kosovës të cilët kanë dalë nga vendi 12 orë më parë, qytetarët të cilët kalojnë përmes transportit të organizuar, diplomatët e huaj dhe pjestarët e KFOR-it.
Gjithashtu, ky vendim nuk vlen për qytetarët nën moshën 12-vjeçare. Personat 12 deri 16-vjeç duhet të posedojnë test RT-PCR.
Personat të cilët nuk kanë marrë dy doza të vaksinave anti-COVID janë të detyruar të karantinohen për shtatë ditë.
Rastet me coronavirus në Kosovë janë rritur dukshëm ditëve të fundit.
Brenda 24 orëve në nivel vendi një person i infektuar me SARS-CoV-2 ka vdekur përderisa janë regjistruar 2 mijë e 957 raste pozitive.
Aktualisht në nivel vendi janë 17 mijë e 743 raste aktive me COVID-19.