Qeveria e Kosovës planifikon që gjatë këtij viti të dorëzojë edhe kërkesën formale për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e kishte thënë në fund të vitit të shkuar kryeministri Albin Kurti, ndërsa e ka përsëritur së fundi edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, në një postim në Twitter pas takimit me shefat e përfaqësive të vendeve të BE-së në Prishtinë.
Nuk është hera e parë që nga autoritetet e Kosovës paralajmërohet aplikimi për anëtarësim në BE, por Kosova nuk e ka bërë asnjëherë deri më tash këtë hap.
Kjo, sipas burimeve diplomatike, për shkak të “këshillave të miqve”, të cilët kanë tërhequr vërejtjen se një kërkesë e tillë nuk do të kishte gjasa të kalonte në Këshill për shkak se Kosova nuk është njohur nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së e procesi i zgjerimit, në secilin hap, është proces ku vendimet merren me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare.
Kështu, Kosova vazhdon të mbetet i vetmi shtet i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka kërkuar formalisht anëtarësim në BE, ndërkohë që BE-ja përsërit se “Kosova ka perspektivë evropiane”.