Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, sot është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për t’u dakorduar për për Ligjin e Pagave.
Jasharaj në një prononcim për Front Online tha se në këtë takim janë marrë vesh që në fund të marsit të votohet Ligji i Pagave.
Të dy ministrat i kanë premtuar Jasharajt se në fillim të muajit mars do të filloj debati dhe konsultimet me Sindikatat.
“Ai na ka premtuar që në mars do të filloj debati dhe konsultimet me Sindikatat, dhe deri në fund të marsit versioni me pajtueshmëri me Sindikatat do të shkojnë në qeveri për të votuar dhe për të filluar pastaj procedurat për Parlamentin, ne jemi dakorduar për këtë”, tha ai për Front Online.
Pavarësisht kësaj, Jasharaj i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që t’i ndal sulmet ndaj organizatave sindikale.
“Ne i kemi dhënë këtë afat që kanë kërkuar, por le ta dinë edhe ministri Sveçla, dhe kryeministri Kurti le t’i ndalin sulmet ndaj sindikatave për organizmin sindikal, por le të merren me punët e tyre, le të merren me ligjin, se marsi vjen, fundi i marsit do të sjell ose ligjin në Parlament ose protesta e greva për të cilat ne nuk jemi fajtorë dhe qytetarët e Kosovës duhet të na kuptojnë”, tha ai për Front Online.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se disa nga krerët e sindikatave janë fajtorë për gjendjen në arsim dhe shëndetësi dhe se duhet të ndërrohen ata.
Sipas tij, ka pasur sindikalistë që kanë mbrojtur interesin e sindikatave por ka edhe të tjerë që në fushatën zgjedhore të 2017 ishin bërë bashkë me PAN-in për ta mbështetur në zgjedhje dhe u kishin shërbyer atyre./Front Online/