Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka folur në seancën e këtij kuvendi për angazhimin e simboleve identitare.
Kamberi ka pyetur se kur do të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simbolit kombëtar shqiptar.
“Unë këtu mund vetëm të përmend vandalizmin ndaj flamurit shtetëror shqiptar, por detyra ime qenësore në këtë Kuvend është të pyes pse Shqiptarët e Luginës së Preshevës, respektivisht ata që jetojnë në Serbi, nuk munden lirshëm, publikisht dhe zyrtarisht të përdorin simbolin e tyre kombëtar, simbol ky që përfaqëson në thelb një pjesë të identitetit të tyre”, ka deklaruar Kamberi.
Derisa theksoi se si Serbia glorifikon kriminelët e luftës, Kamberi në fund të fjalës së tij kujtoi se “angazhimin tonë të pandalshëm për identitetet dhe simbolet na obligojnë edhe rreshtat e himnit tonë”, duke cituar disa vargje nga himni kombëtar.
Fjalimi i tij i plotë:
Angazhimi jonë për simbolet identitare nuk do të pushojë. Në këtë betejë as nuk mund të nënshtrohemi as të dorëzohemi.
Z. Kryetar,
Zonja dhe zotërinjë deputet,
Mirëdita – dobar dan
Pyetja ime sot i dedikohet Kryeministres së Republikës së Serbisë dhe është:
• Kur do të krijohen kushtet për përdorim të lirshëm, publik dhe zyrtar të simbolit kombëtar Shqiptar?
Ka kaluar një vit nga fjalimi im për nevojën e përdorimit të lirë, publik dhe zyrtarë të simbolit tonë kombëtar, ndërkohë që Republika e Serbisë po vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon i cili, me ligj, i pamundëson pakicave nacionale që të përdorin lirshëm simbolet e tyre “nëse janë identike me simbolet e shteteve tjera”.
Se sa është në Serbi shkalla e mosdurueshmërisë ndaj simbolit nacional shqiptarë na ka treguar edhe sjellja e huliganëve, të cilët kanë hequr flamurin shqiptar në vende të shumta në Beograd ku ishte i vendosur si pjesë e protokollit shtetëror për vizitën e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama.
Huliganët janë kryerësit e drejtëpërdrejtë të këtij akti vandal, por duhet të theksohet që ata janë produkt i diskursit i cili mbështetë dhe ushqen stereotipet antishqiptare, armiqësinë dhe hasmërinë ndaj tyre.
Një diskurs të ktillë, autori i veprës “Shqiptari imagjinarë”, Aleksandar Pavloviq, e quan “shqiptarizëm” duke u mbështetur në konceptin e “ballkanizimit” të Marija Todorovës, i cili e përshkruan diskursin i cili krijon stereotipe për Ballkanin dhe politikën e cila është në mënyrë organike e lidhur me këtë diskurs.
Në këtë atmosferë, mosdurimi, urrejtje të hapur dhe paragjykimeve ndaj shqiptarëve dhe ndaj gjithçkaje që lidhet me shqiptarët, duke shtuar këtu diskriminimin në të drejta fundamentale, jeta e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por edhe e shqiptarëve që jetojnë në mbrendësi të Republikës së Serbisë, është e vështirë.