Home LAJME Kurti: Në aksionin e policisë në veri tensioni u rrit por s’u dorëzuam

Kurti: Në aksionin e policisë në veri tensioni u rrit por s’u dorëzuam

0
Kurti: Në aksionin e policisë në veri tensioni u rrit por s’u dorëzuam

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji List”, ka folur mbi aksionin e Njësisë Speciale në veri të vendit kur Qeveria e Kosovës e vendosi masën e reciprocitetit për targat e veturave që hyjnë nga Serbia.

Kurti tha se ky aksion nuk ishte i drejtuar kundër asnjë kombësie apo komuniteti, por ishte i drejtuar kundër kriminelëve të cilët, sipas Kurtit, ishin identifikuar si kontrabandues të mallrave ilegale në territor të Kosovës.

“Kriminelët nuk ndahen në grupe etnike, ata ndahen sipas veprave penale. Përkatësia etnike nuk i bën ata as objektiva e as imunë. Asgjë nuk mund të shërbejë si mburojë kundër krimit dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin”, është shprehur Kurti.

Tutje, i pari i qeverisë thotë se vendosja e rendit dhe ligjit është në interesin e qytetarëve të Kosovës, ku përmendi edhe aksionet që kanë ndodhur në tetë muaj sa është Kurti në krye të qeverisë.

“Gjatë tetë muajve në pushtet, ne kemi arritur të luftojmë krimin dhe korrupsionin si asnjë qeveri tjetër. Kemi pasur 446 aksione policore, kemi kryer 793 bastisje dhe kemi shkatërruar 40 grupe kriminale”, ka thënë Kurti, përcjell Klankosova.tv.

Më tej, i pyetur se a kishte frikë nga shpërthimi i ndonjë konflikti mes Kosovës e Serbisë pas aksionit policor, Kurti tha se me mbledhjen e trupave ushtarake dhe me vizitën e ambasadorit rus i cili u paraqit në pikën kufitare në Jarinje, tensionet u rritën por që shteti i Kosovës nuk u dorëzua dhe shprehet i lumtur se i tërë aksioni përfundoi me masën e reciprocitetit.

“Kur Ministri i Mbrojtjes i Serbisë së bashku me ambasadorin rus në Beograd u paraqit në pikën kufitare në Jarinje, ata inspektuan një tubim të forcave ushtarake serbe ku kishte edhe autoblinda dhe mbi to ngritën një aeroplan ushtarak MiG-29 të cilin e kanë marrë nga Federata Ruse, sigurisht që tensionet janë rritur shumë, por jo për shkak tonin. Ata donin të na frikësonin, të na kërcënonin por ne nuk u dorëzuam dhe në fund gjithçka përfundoi në Bruksel dhe sot jam i lumtur që kemi një masë reciprociteti në targa”, është shprehur Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, sa i përket mosnjohjes së Kosovës nga Serbia, Kurti tha se “nuk mund të kërkojë që ne të mos e njohim veten”.

“Pra, ne e konsiderojmë veten të pavarur, Serbia nuk na njeh, por nuk mund të kërkojë që ne të mos e njohim veten. Ne duam që të mos ketë barriera fare, por përderisa Serbia insiston në to, ne duhet të përgjigjemi sipas ligjit”, ka thënë Kurti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here