1 mijë e 773 ankesa ka pranuar Inspektorati Policor i Kosovës nga janari i këtij viti deri në gjysmë të nëntorit 2021. Përveç ankesave, 30 zyrtarë policor janë arrestuar dhe 74 janë suspenduar.
30 policë të arrestuar në nëntë muajt e parë të vitit 2021, 74 të suspenduar nga puna ndërsa gjashtë të tjerë janë transferuar nga stacioni në stacion për shkak të dyshimeve për përfshirje në vepra penale.
Këto janë të dhënat të cilat ka aktualisht Inspektorati Policor i Kosovës, i cili inspekton, heton dhe monitoron punën e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës.
Krahasuar me vitet paraprake, shihet një rritje e numrit të ankesave për zyrtarët policor nga viti i kaluar.
Sipas raportit të IPK-së gjatë gjithë vitit 2020 ka pasur gjithsej 1 mijë e 658 ankesa ndaj zyrtarëve policor ndërsa vetëm nga janari i këtij viti deri më tani janë 115 ankesa më shumë.
Edhe në vitin 2019 Inspektorati Policor i Kosovës ka pasur 334 ankesa më pak për zyrtarët policor se sa në vitin 2021.
Zyrtarët policor të thirrur për të mbajtur rend dhe qetësi, shpesh herë janë bërë vetë pjesë e veprave të ndryshme penale.
KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për shumë raste ku janë përfshirë zyrtarët policor, si dhunë në familje, fajde, ryshfet, keqtrajtim e vepra të tjera.
Të gjitha veprat penale të zyrtarëve policor i trajton IPK, ndërsa këta të fundit në disa përgjigje për KALLXO.com kanë treguar për hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve policor që kanë vepruar ndesh me ligjin.
Sipas statistikave të cilat ka pranuar KALLXO.com, 72 kallëzime penale janë dërguar në prokurori të ndryshme të Kosovës për zyrtarët policor.
“63 janë dërguar në Departament të Përgjithshëm, nëntë në Departamentin e Krimeve të Rënda”, thuhet në përgjigjet në lidhje me kallëzimet penale për zyrtarët policor deri sa tutje shtojnë se më së shumti kallëzime penale janë dërguar në Prishtinë.
Gjithmonë sipas statistikave që ka pranuar KALLXO.com, 22 kallëzime penale janë dërguar në Prokurorinë në Prishtinë, 11 në Mitrovicën e Jugut, 4 në Gjilan, 5 në Mitrovicën e Veriut, 8 në Ferizaj, 11 në Prizren, 7 në Pejë dhe 4 kallëzime penale në Gjakovë.
Duke bërë sërish krahasimin me dy vitet e kaluara, shihet një rënie e kallëzimeve penale ndër vite për zyrtarët policor.
Në vitin 2020 kanë qenë 82 kallëzime penale që janë dërguar në prokurori përkatëse për zyrtarët policor ndërsa në vitin 2019 janë 80 kallëzime.
Gjatë tre viteve të fundit Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar në total 109 zyrtarë policor të gradave të ndryshme.
Vetëm këtë vit janë arrestuar 30 zyrtarë policor për vepra të ndryshme penale, 8 më pak se vitin e kaluar e 12 më pak se vitin 2019.
KALLXO.com ka raportuar në lidhje me arrestimet e zyrtarëve policor, disa nga të cilët edhe janë dënuar e të tjerë janë ende në proces gjyqësor për veprat që kanë kryer.
KALLXO.com në anën tjetër ka pranuar informacione se për vepra të ndryshme penale janë duke u hetuar 158 zyrtarë policor aktualisht nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Mes këtyre punonjësve të policisë ka edhe togerë, rreshterë, majorë, kolonelë e nënkolonelë që po hetohen nën dyshimin se janë përfshirë në veprimtari kriminale.
Sipas të dhënave të Inspektoratit Policor të Kosovës, veprat më të shpeshta që janë hasur në rastet penale nga zyrtarët policor janë, keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës, keqpërdorimi i detyrës, lëndim i lehtë trupor, dhunë në familje e kanosje.
Këto vepra penale janë përmendur edhe në raportet e IPK-së të viteve paraprake.
Gjatë këtij viti IPK ka rekomanduar suspendimin e 74 zyrtarëve policor dhe transferimin e 6 policëve të tjerë.
Krahasuar me vitet paraprake, në vitin 2020 është rekomanduar suspendimi për 83 zyrtarëve policor ndërsa në vitin 2019 për 70 zyrtarë policor.