Qeveria e Kosovës ende s’ka caktuar një emër të ri për ministër të Shëndetësisë, por s’është përjashtuar mundësia që ky sektor të udhëhiqet nga një pjesëtar i Listës “Guxo”, partnere e Lëvizjes Vetëvendosje.
Ministria e Shëndetësisë është me ushtruese detyre që kur Arben Vitia la postin për të garuar për të parin e Prishtinës në zgjedhjet lokale. Dafina Gexha po e ushtron këtë pozitë, ndërsa vetë Vitia ka thënë se s’do të kthehet në këtë post, pavarësisht rezultatit në zgjedhje.
E, sot ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i pyetur se a do të jetë ministri i ri nga radhët e kësaj liste, ka thënë se “nuk mund të flasë se kush do të jetë ministri”, por ka shtuar se “natyrisht që do të ketë edhe konsulta”.
Lidhur me këtë deklaratë të Pecit, FrontOnline ka biseduar me deputetin e Listës Guxo, Haxhi Avdyli të cilët shpesh herë i përmendur emri që do të jetë ministër i Shëndetësisë.
I njëjti as nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar një gjë të tillë.
Ai në një përgjigje për FrontOnline, ka thënë se nuk ka se çfarë të thotë rreth kësaj çështjeje.
“Nuk kam çka të them rreth kësaj deklarate, jam i zënë me pacientë, nuk mundem me thënë asgjë”, ka thënë Haxhiu për FrontOnline./FrontOnline