Qeveria e Kosovës më 29 tetor miratoi buxhetin për vitin 2022. Buxheti i miratuar në Qeveri kap vlerën e 2 miliardë e 748 milionë euro.
Nga kjo shumë vetëm 10 milionë euro janë ndarë për zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës.
E, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, në një prononcim për Front Online është shprehur i shqetësuar për mënyrën se si është bërë ndarja e këtyre mjeteve nga Qeveria.
Sipas tij, kjo shumë është e pa qartë dhe e papranueshme për zjarrfikësit, pasi janë futur në të njëjtin buxhet me policinë dhe nuk dihet se sa është shuma e dedikuar për ta.
“Ndarja e 10 milion €, për policët dhe zjarrfikësit është e pa qartë. Ne nuk e kemi kuptuar sa janë për policinë e sa për zjarrfikësit, ne jemi organizata të ndara buxhetore prandaj kjo është e pa pranueshme. Zjarrfikësit nuk kanë buxhet të planifikuar kjo shumë e caktuar është e pa kuptimtë. Zjarrfikësit në projekt- buxhet për vitin 2022 nuk janë përfshirë, që i bie se zjarrfikësit edhe viti 2022 i gjen me të njëjtat probleme, pa asnjë rezultat pozitiv”, tha Beka për Front Online.
Kryesindikalisti Beka, paralajmëroi protesta në rast se nuk reflektojnë pozitivisht nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ne jemi në bisedime me MPB dhe kemi kërkuar sqarime lidhur me këtë çështje dhe nëse nuk reflektojnë pozitivisht ne si sindikatë do të organizojmë protesta si shenjë pakënaqësie me situatën e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve në Kosovë”, tha ai.
Beka thotë se zjarrfikësit edhe shpenzimet për lëndimet në vendin e punës i paguajnë nga xhepi i tyre i varfër.
“Zjarrfikësit kushtet e punës i kanë minimale. Mungojnë pajisjet për siguri personale, e pajisje kolektive, zjarrfikësit nuk kanë as sigurime shëndetësore, edhe lëndimet në vendin e punës për shpenzime mjekësor duhet që vet t’i paguajnë nga xhepi i tyre i varfër, si dhe nuk kompensohen as për ndërrimet për punën e natës as festat shtetërore dhe fetare. Zjarrfikësit e kanë koeficientin më të ulët në nivel vendi”, shprehet Beka për Front Online.
Për shumën e ndarë nga Qeveria për zjarrfikëset shprehet i pakënaqur edhe komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka.
“Kjo nuk është kurrfarë shume. Këtë çështje e kemi ngritë edhe në Qeveri. 10 milionë euro vetëm për zjarrfikës nuk mjaftojnë, e jo edhe për policët, ne jemi ankuar dhe duhet të parashihet buxheti për 2020, duhet të zgjidhet statusi i zjarrfikësve”, përfundoi Zeka për Front Online