Qasja e Kosovës kundër iniciativës së “Ballkanit të Hapur” është e destinuar të dështojë, sipas kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Madje, sipas tij, një qasje e tillë s’do ta çojë Kosovën askund.
Këtë javë, Rama bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, u takuan në Beograd për të vazhduar iniciativën e tyre për “Ballkanin e Hapur” që s’është pranuar nga tri shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. Teksa e ka cilësuar takim me diskutime për çështje konkrete të përqendruar në lëvizje të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitaleve dhe të njerëzve, Rama ka përsëritur qëndrimin e tij se nisma do t’i shërbente zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës.
“Mendoj që ka nga ana e Kosovës, ose e politikëbërësve, ka qasje e cila është thelbësisht e ndryshme. Është e drejta e tyre, nuk diskutohet, por nga ana tjetër unë kam bindjen që kjo nismë është jo vetëm domosdoshmëri, por edhe një qasje në funksion të çlirimit të shumë potencialeve të ngujuara të këtij rajoni dhe të lehtësimit të dialogut dhe të lehtësimit të rrugës së zgjidhjes së çështjes së Kosovës po ashtu. S’dua të hyj në polemika me Albinin (kryeministri i Kosovës, Albin Kurti). Ai ka vizionin e vet. Unë dua më të mirën për Kosovën dhe prandaj nuk mund të rri pa e thënë që qasja e derisotme është e destinuar të dështojë dhe qasje që s’e çon Kosovën asgjëkundi, përkundrazi për sa vite e ka kthyer Kosovën nga një forcë shumë pozitive dhe partner shumë i besueshëm e i dëshiruar i aleatëve të shqiptarëve, në problem të tyre. Kjo s’është pozitive”, ka thënë ai.
Ndërkaq propozimin e kryeministrit Kurti për një marrëveshje të re rajonale për tregti, SEFTA, Rama ka thënë se Kosova dhe vendet tjera të rajonit s’kanë fuqinë që të nisin rrugë të reja pa u konsultuar me askënd.
“Kosova është sot një realitet i pakthyeshëm. Një shtet sovran që ka problemin e hapur të domosdoshmërinë për t’u njohur nga të gjithë e të ulet me të drejta të plota në OKB dhe instanca tjera. Ka autoritetin demokratik të marrë vendime të veta, por s’është në dispozicion të harrojë nga vjen, se është rezultat i një lufte çlirimtare të përkrahur fuqimisht nga fuqitë e mëdha mike të shqiptarëve dhe s’është në pozicionin që të marrë rrugë të reja pa u konsultuar me askënd e për më tepër rrugë të reja që askush s’i mbështet sikur në rastin konkret”, ka thënë ai në “News24”.
Sa i përket pranimit të Kosovës në “Ballkanin e Hapur”, Rama ka thënë se s’do të ishte problemi te vendosja e flamujve dhe se sipas tij kjo është çështje për të ikur nga thelbi i çështjes.
Për qëndrimin e Kosovës dhe të kryeministrit Kurti ai ka deklaruar se e respekton dhe se “Kurti ka të drejtë të gabojë”.
“Di që s’ka asnjë rrugë tjetër përpos përfshirjes në këtë nismë nëse janë të sinqertë që e përkrahin Procesin e Berlinit”, ka shtuar ai.