Ngritja e konsumit të energjisë elektrike në ditët e para të nëntorit, me mbi 21 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka bërë që të vihet në vështirësi serioze i tërë sistemi elektroenergjetik i vendi, ka njoftuar Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS).
Vetë KEDS-i ka apeluar që qytetarët të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike.
“Rritja e madhe e konsumit në kohë të krizës energjetike po e vë në vështirësi serioze tërë sistemin elektroenergjetik të vendit. Madje, në kohë të pikut po mbërrin deri në 935 megavatë nga 788 megavatë sa ishte në ishte vitin e kaluar. Kjo nënkupton që duhet të importohen gati 200 megavat/orë energji elektrike në kohën e konsumit maksimal. E çmimet e importit aktualisht janë në qiell, duke u blerë nga më tepër se 250 euro për megavat/orë, pra rreth pesë fish më shumë se vitin e kaluar. Rritje kishte edhe gjatë muajit tetor për 18 për qind në krahasim me tetorin e vitit 2020. Por, tashmë është shtuar tempo. Rritja e madhe po ndodhë për shkak të ngrohjes së konsumatorëve me rrymë. KEDS apelon të përdoren forma alternative aty ku ka mundësi. Kjo situatë është e vështirë. KEDS kërkon nga të gjithë konsumatorët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike në mënyrë që situata të jetë sa më e përballueshme”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Teksa KEDS-i thotë se as tash prodhimi vendor s’po mbërrin të mbulojë kërkesën për konsum, me ftohjen e motit situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë, ku nevoja për import pritet të shkojë në gati 50 për qind të kërkesës.
“Shprehur në euro, me çmimet aktuale të energjisë elektrike në botë, kap një kosto marramendëse, të papërballueshme për sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Nevoja për ndryshime është emergjente. Çdo kilovat është i nevojshëm që të kursehet. Krejt bashkë mund t’ia dalim”, përfundon njoftimi i KEDS-it.