Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që e ka aprovuar vaksinën e Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për përdorim të gjerë.
Sekretari i Shëndetësisë së Britanisë së Madhe Matt Hancock ka njoftuar se javën tjetër do të jenë në dispozicion 800,000 doza të vaksinës për të filluar me dhënien e tyre, njofton Klan Kosova.
“Ne më pas do të shpërndajmë atë varësisht prej shpejtësisë së prodhimit. Prodhimi është duke u bërë nga Pfizer në Belgjikë, kështu që prodhimi do të përcaktojë shpejtësinë e përhapjes së vaksinës”.
“Ne do të fillojmë me ata që janë më të ndjeshëm ndaj koronavirusit. Njerëzit do të marrin nga dy doza me 21 ditë ndërmjet. Kjo do të ndihmojë në shpëtimin e shumë jetëve dhe pastaj sapo të kemi filluar të mbrojmë më të prekshmit, do të na ndihmojë të gjithë të kthehemi në normalitet dhe t’u kthehemi të gjitha gjërave që duam”.
Kryeministri Boris Johnson ka mirëpritur lajmet rreth vaksinës.
Në një postim në Twitter ai ka shkruar se është “fantastike” që Agjencia Rregullative për Barnat ka autorizuar përdorimin e vaksinës.
“Vaksina do të fillojë shpërndahet në Mbretërinë e Bashkuar që nga java tjetër. Vaksina është mbrojtja që në fund na lejon të rikthejmë jetët tona dhe që ekonomia të lëvizë sërish”.