Të gjitha shtetet e rajonit janë duke përjetuar ngritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve nga COVID-19 dhe rasteve të reja me virus. Të katër shtetet me të cilat kufizohet Kosova janë duke regjistruar vazhdimisht ditë të zeza sa i përket përballjes me virusin. E në Kosovë, kur numri i rasteve të reja tashmë ka nisur të kalojë atë të të shëruarve, vaksinimi vazhdon të ecën me trend të ulët.
Vetëm në javën e fundit secili shtet fqinj ka regjistruar shumë vdekje. Përderisa në Kosovë u regjistruan dy vdekje në shtatë ditë, një më 25 dhe një më 27 tetor, në të gjitha vendet tjera shifra ishte dukshëm më e lartë. Mesatarja e vdekjeve ditore në të katër shtetet e rajonit sillet prej 5.43 në Mal të Zi si më e ulëta e deri te 62.57 në Serbi si më e larta. Të dhënat janë siguruar nga uebfaqja e specializuar për statistika “Our World in Data”.
Po ashtu, përderisa në Kosovë mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit sillet afër 17, në katër shtetet e rajonit më e ulëta është ajo në Maqedoni me 378. Serbia vazhdon të ketë rreth 6600 raste ditore mesatarisht, në javën e fundit. Në Shqipëri po regjistrohen mesatarisht 531 raste të reja në ditë e 6.57 vdekje.
Pavarësisht shifrave alarmante që vijnë nga rajoni, në Kosovë trendi i vaksinimit ka pësuar rënie të ndjeshme. Përderisa para disa javësh në vend vaksinoheshin mbi 10 mijë njerëz në ditë, e në ditët më të suksesshme edhe mbi 20 mijë, dje janë dhënë 7716 doza.
E pas pesë javëve me vaksinim edhe fundjavave, në kohën e valës së Deltas në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka tri javë që ka mbyllur qendrat e vaksinimit të shtunave dhe të dielave. Arsyetimi ka qenë se janë vaksinuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve dhe se situata më e qetë kanë bërë që të ketë ulje të kërkesave për vaksinim në tetor.
Sipas të dhënave të fundit nga MSH-ja, në vend janë vaksinuar 725 mijë qytetarë me të dyja dozat, ndërsa rreth 117 mijë po presin dozën e dytë. Në total janë administruar 1 milion e 567 mijë doza të vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer”.
Megjithatë, vetë Ministria e Shëndetësisë ka thënë se situata epidemiologjike në Kosovë mbetet ende e pasigurt, teksa ka bërë thirrje për vaksinim.
Derisa vendet tjera kanë nisur të kthejnë masat kufizuese për shkak të ngritjes së rasteve, Kosova para një jave lehtësoi masat. E në vend mund të futet çdo person i cili posedon certifikatë të vaksinimit me dy dozat; test PCR; dëshmi se e ka kaluar virusin jo më larg se gjashtë muaj; test të shpejt antigjen negativ jo më të vjetër se 48 orë. Shtetasit e Kosovës, që hyjnë nga vendet tjera, nëse s’i posedojnë ndonjërën nga këto dëshmi, duhet të vetizolohen për 7 ditë. Përjashtim nga këto kërkesa bëjnë personat që hyjnë e largohen nga Kosova për tre orë, transportuesit profesionistë, shtetasit e Kosovës që kanë dalë nga vendi në 12 orët e fundit dhe ata që e shfrytëzojë Kosovën si vend transit.
Deri tash në Kosovë janë regjistruar 2976 vdekje nga COVID-19. Janë edhe 447 raste aktive. Në ditët e fundit, lakorja e rasteve aktive nisi të marrë përpjetëzën. Që nga 4 shtatori, numri i të shëruarve për ditë ishte më i lartë se i rasteve të reja, deri më 27 tetor. Që nga ajo ditë ka nisur të shtohet në vlera të ulëta numri i rasteve aktive. Për këto katër ditët e fundit numri i rasteve aktive është rritur për 19.