Gazetari Halil Berisha po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës lidhur me publikimin e dosjeve që dyshohet se kanë rrjedhur nga ky institucion.
Ai është duke dëshmuar në rastin e ish-drejtuesve të OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Për publikimin e disa nga dokumentet të cilat i posedonte mediumi ku punonte Berisha, Gazeta Infokus, ai ka theksuar se ishte në interes të publikut pasi që kishte emra të zyrtarëve serbë.
“Ishte në interes të publikut sepse këta persona janë zyrtarë të lartë të Serbisë dhe qytetarët i njohin nga veprimtaria e tyre”.
“Kam qenë gjashtëvjeçar në luftë, unë bashkë me familjen time jemi larguar me forcë nga banesa, jemi larguar me forcë nga shtëpitë dhe jemi detyruar që të udhëtojmë drejt Shqipërisë. Kjo është më e lehta nga ajo që mund ta thonë të tjerët. Kam qenë gjashtëvjeçar, pa bukë, pa ujë kam kaluar nëpër trupa të vdekur. Është temë e ndjeshme për ne, shtjellohet çdo ditë tek ne. Për këtë arsye si staf editorial kemi menduar se është në interes të publikut që të raportohet për këtë çështje”.