Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, ka hapur shtandin nacional të Republikës së Kosovës në Panairin më të madh ndërkombëtar të industrisë ushqimore “Anuga 2021” në Këln të Gjermanisë, transmeton albinfo.ch.
Gjatë panairit, ministrja Hajdari është takuar me ministren për Ushqim dhe Bujqësi të Gjermanisë, znj. Julia Klöckner, kryebashkiaken e Këlnit, znj. Henriette Reker, si dhe ministrin e Bujqësisë së Republikës së Lituanisë, z. Kestutis Navickas.
Në këtë panair kanë marrë pjesë dhjetë kompani nga Kosova: “Hit Flores Sh.P.K.”, “Npp Amo Sh.P.K.”, “Eurofood SH.P.K.”, “Frutex Sh.P.K.”, “Abi&Elifi 19 Sh.P.K.”, “Agro-Florentina Sh.P.K.”, “Fungo Sh.P.K.”, “Egi Group Sh.P.K.”, “Ask Food Sh.P.K.” dhe “Ananasi Impex”, të cilat nga data 9 deri 13 tetor kanë promovuar produktet e tyre, si dhe njëherësh kanë zhvilluar kontakte me kompani pjesëmarrëse, me qëllim të bashkëpunimit në të ardhmen dhe gjetjen e tregjeve të reja për eksport.
Në këtë panair Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, konkretisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, ka organizuar shtandin nacional, ku u prezantuan kompanitë kosovare dhe 263 produkte.
Panairi “Anuga 2021” shtrihet në një sipërfaqe prej 284,000 m2, vizitohet nga 169,653 vizitorë/tregtarë nga 201 vende, të cilët njihen për së afërmi me produktet më të fundit nga 7,972 ekspozues të produkteve ushqimore nga më shumë se 100 vende të ndryshme të botës.
Në këtë panair prezantohen prodhimet e ngrira dhe të thata nga frutat dhe perimet, industria përpunuese ushqimore nga pemët dhe perimet, industria përpunuese konditorike, pije energjike dhe lëngje, prodhime EKO, etj,.
Kosova në këtë panair u promovua krahas shteteve të tjera, si: SHBA, Britania e Madhe, Italia, Spanja, Turqia, Franca, Holanda, Greqia, Belgjika etj.
Panairi “Anuga” u mbajt nga data 9 deri më 13 tetor 2021, në Këln të Gjermanisë. /Albinfo.ch