Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar nëpërmes një komunikate për media se po ndjek me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencialë, që po e rëndon gjendjen sociale të punëtorëve.
“Fatkeqësisht, edhe pse ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencialë, siç janë mielli, vaji, sheqeri etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët, si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë”, thuhet në këtë komunikatë.
Atdhe Hykolli, kryesindikalist i BSPK-së, i ka bërë thirrje Qeverisë që të bashkohet në Këshillin Ekonomik-Social, të cilin e drejton, dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend.
“Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë, në mënyrë që të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim, që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend. Ne si BSPK mbetemi të përkushtuar të bashkëpunojmë me Qeverinë dhe secilin institucion që mbështetë kauzën e drejtë sociale për rritjen e pagës minimale në vend”, ka thënë Hykolli.